"Shpallja e zgjedhjeve për KKSH, riaktualizon përçarjen e spektrit politik në Luginë"
Lokale

"Shpallja e zgjedhjeve për KKSH, riaktualizon përçarjen e spektrit politik në Luginë"

24.Sep.2014 21:46
0
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Riza Halimi përmes një deklarate të shkruar ka vënë në pahë "lojrat" diskriminuese shtetërore me tendencë përcarjen e spektrit politik shqiptarë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Shpallja e zgjedhjeve për këshillat kombëtare të pakicave nacionale në Serbi sipas kryetarit të PVD-së përsëri po riaktualizojnë përçarjet e spektrit politik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilat po rriten eksponencialisht me ngritjen e shkallës së diskriminimit shtetërorë ndaj popullatës shqiptare në këtë rajon. 

Halimi, shprehet se edhe kur kanë kaluar më shumë se 13 vite nga fillimi i zbatimit të programit të qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës, të përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar, edhe sot vazhdon diskriminimi shtetëror ndaj shqiptarëve të këtyre trojeve. 

“Pos realizimit të pjesëmarrjes adekuate të Shqiptarëve në pushtetin lokal të Bujanocit dhe rritjes së pjesëmarrjes së Shqiptarëve në policinë lokale por ende jo në nivel proporcional, pjesëmarrja e Shqiptarëve në strukturat publike dhe shtetërore është vetëm simbolike!”, shprehet kryetari i PVD-së, njëherit deputet në Parlamentin e Serbisë. 

Amnistia për ish ushtarët e UÇPMB-së sipas Riza Halimit, në pjesën më të madhe nuk u rrespektua, sepse në shumë raste me përdorim të dhunës masive shtetërore pa asnjë bazë ligjore u burgosën, u bastisën shtëpitë e tyre, u keqtrajtuan rëndë ata dhe familjarët e tyre për të krijuar në këtë mënyrë atmosferë të pasigurisë, që ndikoi në largimin masiv të tyre nga Lugina e Preshevës. 

Gjithashtu nuk u plotësua as obligimi i qeverisë serbe për krijimin e kushteve për kthimin e të “shpërngulurve intern” si ishin kualifikuar zyrtarisht Shqiptarët e dëbuar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja gjatë gjendjes së luftës dhe gjendjes së jashtëzakonshme në periudhën mars 1999 – maj 2001. 

“Pikërisht mosgadishmëria e qeverisë serbe për të ofruar zgjidhje për problemet e regjistrimit të Shqiptarëve të dëbuar gjatë luftës si dhe azilkërkuesve, por edhe të Shqiptarëve juridikisht të padukshëm ishin arsyet kryesore të bojkotit të regjistrimit të popullatës në vitin 2001”, nënvizon zyrtari i lartë i PVD-së. 

Krejt në fund kryetari i Partisë së parë shqiptare në Luginë shtron pyetjen se a duhet patjetër subjektet politike që aprovuan Platformën politike të vitit 2006 me të cilën u kërkua autonomi dhe reciprocitet me të drejtat e Serbëve në veri të Kosovës, të garojnë për tu zhytur në baltën e diskriminimit flagrant që po e imponon qeveria serbe. 

“Mendoj se është momenti që me unitet praktik të gjitha subjektet politike t’i bashkangjiten kërkesave të Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputetëve drejtuar qeverisë serbe dhe ambasadorëve në Beograd, por edhe institucioneve evropiane në Bruksel dhe Strazburg, për ta eliminuar manipulimin dhe diskriminimin shtetërorë me zvogëlimin drastik të numrit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Serbi”, përfundon kryetari Riza Halimi./Titulli.com/

********************************************************************************************************************************************************************************

DEKLARATË E KRYETARIT TË PVD – së

Shpallja e zgjedhjeve për këshillat kombëtare të pakicave nacionale në Serbi përsëri riaktualizojnë përçarjet e spektrit politik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilat po rriten eksponencialisht me ngritjen e shkallës së diskriminimit shtetërorë ndaj popullatës shqiptare në këtë rajon.

Është e njohur se degradimi drastik socio – ekonomik dhe politik i pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës u krye gjatë regjimit të Millosheviqit, me të gjitha format tanimë të njohura represive dhe diskriminuese. Mirëpo, është anakronike që diskriminimi shtetërorë ndaj Shqiptarëve po vazhdon edhe sot, 13 vite pas fillimit të zbatimit të programit të qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës të përkrahur nga faktori ndërkombëtarë!

Fillimisht, është e domosdoshme të theksohet se qëllimet më të rëndësishme të këtij programi nuk u realizuan. Në vend të revitalizimit ekonomik, sot gjendja ekonomike është shumë më e rëndë dhe shkalla e papunësisë është shumë më e lartë se para 13 vite kur ishte arritur marrëveshja për zgjidhje paqësore të krizës në këtë rajon. Pos realizimit të pjesëmarrjes adekuate të Shqiptarëve në pushtetin lokal të Bujanocit dhe rritjes së pjesëmarrjes së Shqiptarëve në policinë lokale por ende jo në nivel proporcional, pjesëmarrja e Shqiptarëve në strukturat publike dhe shtetërore është vetëm simbolike!

Amnistia për ish ushtarët e UÇPMB – së në pjesën më të madhe nuk u rrespektua, sepse në shumë raste me përdorim të dhunës masive shtetërore pa asnjë bazë ligjore u burgosën, u bastisën shtëpitë e tyre, u keqtrajtuan rëndë ata dhe familjarët e tyre për të krijuar në këtë mënyrë atmosferë të pasigurisë, që ndikoi në largimin masiv të tyre nga Lugina e Preshevës. Gjithashtu nuk u plotësua as obligimi i qeverisë serbe për krijimin e kushteve për kthimin e të “shpërngulurve intern” si ishin kualifikuar zyrtarisht Shqiptarët e dëbuar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja gjatë gjendjes së luftës dhe gjendjes së jashtëzakonshme në periudhën mars 1999 – maj 2001.

Mirëpo, jo që nuk u krijuan kushtet për kthim të dëbuarve, por për shkak të mungesës së kushteve elementare jetësore, të shkallës së lartë të militarizimit që vazhdon të jetë prezent dhe shkallës rekorde të papunësisë vazhduan shpërnguljet e Shqiptarëve nga ky rajon në shtetet e UE – së.

Pikërisht mosgadishmëria e qeverisë serbe për të ofruar zgjidhje për problemet e regjistrimit të Shqiptarëve të dëbuar gjatë luftës si dhe azilkërkuesve, por edhe të Shqiptarëve juridikisht të padukshëm ishin arsyet kryesore të bojkotit të regjistrimit të popullatës në vitin 2001.

Në kushte të bojkotit të këtij regjistrimi, kur nuk kishin punuar as komisionet komunale të regjistrimit është e qartë se shenimet e paraqitura me fusnotë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në raportin zyrtarë të Entit statistikorë të Serbisë janë të falsifikuara sikur që është i falsifikuar edhe shenimi në bazë të cilit në Serbi jetojnë vetëm 5.809 Shqiptarë!

Me këtë rast duhet të theksohet se në situatë të ngjajshme kur në vitin 1991 gjithashtu ishte bojkotuar regjistrimi i popullatës, qeveria e atëhershme kishte zbatuar vlerësimin e Entit statistikorë në bazë të cilit nga 76.298 Shqiptarë të regjistruar në vitin 1981 ishte paraqitur shifra prej 78.281 në Serbi, që nuk ishte as atëherë adekuat me gjendjen reale. Për shkak të shpërnguljeve të dhunshme të periudhës 1999 – 2001 në regjistrimin e vitit 2002 numri i Shqiptarëve u zvogëlua në 61.647. Mirëpo, zvogëlimin e falsifikuar prej 11 herë të numrit të Shqiptarëve në Serbi, ndërsa në Preshevë prej 75 herë e në Bujanoc madje prej 97 herë, që po e imponon qeveria aktuale serbe nuk është zbatuar as gjatë qeverive të Millosheviqit.

Së pari në dy vitet e fundit për shkak të këtij manipulimi vetëm Këshillit Nacional të Shqiptarëve iu zvogëlua finansimi në formë drastike. Mandej gjatë vitit të kaluar, duke e paraqitur rrejshëm komunën e Preshevës vetëm me 3.000 banorë, kjo komunë ngeli pa gjykatë dhe prokurori themelore. Andaj vendimi i ministres së pushtetit lokal, me rastin e shpalljes së zgjedhjeve për këshillat nacionale, që të zvogëloj në 15 anëtarë Këshillin Nacional të Shqiptarëve nga 29 anëtarë sa i ka ky këshill nga zgjedhjet e vitit 2010, është vazhdimësi e politikës dhe praktikës diskriminuese të qeverisë serbe.

Është shumë e qartë se strukturat shtetërore në Serbi janë të trimëruara me heshtjen e faktorit ndërkombëtarë ndaj pastrimit etnik të kryer në Luginë të Preshevës gjatë luftës në Kosovë, dhe menjëherë pas Marrëveshjes së Kumanovës por edhe gjatë luftimeve brenda Zonës së Sigurisë Tokësore në periudhën janar 2000 – maj 2001.

Gjithashtu është shumë brengosës fakti se udhëheqja shtetërore serbe ka arritur gjer më tani me lehtësi ta relativizoj largimin masiv të Shqiptarëve nga Lugina e Preshevës në drejtim të Evropës Perëndimore. Duke e lansuar tezën mbi azilantët “e rrejshëm” që u pranua edhe nga strukturat e UE – së, Serbia arriti të minimizoj krejtësisht shkaqet e këtyre migrimeve intenzive nga Lugina e Preshevës.

Ndërsa shkaqet e këtij pastrimi të heshtur etnik e kanë burimin në mosrealizimin e obligimeve që Serbia ndërkombëtarisht i mori me programin e vetë qeveritar të vitit 2001.

Mirëpo, posaçërisht nga viti 2008 qeveria serbe me anë të Trupit të vetë koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kishte filluar fushatën mediale, e posaçërisht diplomatike për ta bindur faktorin ndërkombëtarë se pjesë të rëndësishme të programit qeveritar nuk u realizuan për shkak të refuzimit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës për ta pranuar statusin e pakicës nacionale dhe jogadishmërisë së tyre për t’i realizuar të drejtat që Serbia me kushtetutë dhe ligjet e saja i garanton. Duhet të pranohet se në këtë drejtim strukturat shtetërore të Serbisë gjer më tani ishin të suksesshme edhe atë në rradhë të parë për shkak të parcializimit të skajshëm të spektrit politik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe divergjencave të mëdha që subjektet e shumta politike të Shqiptarëve kishin për çështje të Trupit koordinues të qeverisë serbe, për pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare dhe për konstituimin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve.

Politikat perfide të strukturave shtetërore serbe, që po arrijnë me sukses ta përçajnë spektrin politik shqiptarë dhe njëkohësisht për ta bindur faktorin ndërkombëtarë se gjer më tani nuk kanë pasur partner serioz për zgjidhjen e problemeve të rënda jetësore në Luginë të Preshevës, po vijnë në shprehje pikërisht tash kur po u imponohen Shqiptarëve zgjedhje për këshill nacional në kushte skajshmërisht diskriminuese.

Pikërisht kur Serbia me këmbëngulje po injoron kërkesat e Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputetëve Shqiptarë për ta ndërprerë manipulimin diskriminues me numrin e Shqiptarëve që jetojnë në Serbi, si dhe kërkesat për anulimin e vendimit të ministres së pushtetit lokal që ka paraparë përgjysmimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, çuditërisht subjektet politike shqiptare që kishin bojkotuar gjer më tani Këshillin Nacional të Shqiptarëve pikërisht tash pa e pritur epilogun e këtyre kërkesave legjitime, po garojnë se cila më parë do të paraqitet në këto zgjedhje me kushte diskriminuese.

Në këtë mënyrë qeveria serbe po arrin ta legalizoj plotësisht reduktimin e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në korniza skajshmërisht diskriminuese edhe atë në kohën kur e presin obligime shumë serioze në fushën e të drejtave individuale e kolektive të pakicave nacionale në kuadër të përgaditjeve të fundit për t’u bërë pjesë e UE – së.

Natyrisht të gjitha vërejtjet që i parashtrova në këtë deklaratë nuk paraqesin ndryshim të qendrimeve që i kam paraqitur gjithnjë lidhur me domosdoshmërinë e funksionimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve. Mirëpo shtrohet pyetja esenciale se a duhet patjetër subjektet politike që aprovuan Platformën politike të vitit 2006 me të cilën u kërkua autonomi dhe reciprocitet me të drejtat e Serbëve në veri të Kosovës, të garojnë për tu zhytur në baltën e diskriminimit flagrant që po e imponon qeveria serbe.

Mendoj se është momenti që me unitet praktik të gjitha subjektet politike t’i bashkangjiten kërkesave të Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputetëve drejtuar qeverisë serbe dhe ambasadorëve në Beograd, por edhe institucioneve evropiane në Bruksel dhe Strazburg, për ta eliminuar manipulimin dhe diskriminimin shtetërorë me zvogëlimin drastik të numrit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Serbi.

Kryetari i PVD-së

Riza HALIMI

KKSH: Dënimi i lojtarëve tendecioz
Ndihmoni ndërtimin e shtëpisë për familjen Abdullahu nga Konçuli
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration